Realf Zhivanaj është rikthyer të luajë sërish në elitë. Ish-qendërmbrojtësi i formuar te Tirana, i cili më pas zgjodhi të kontribuonte për Vorën e më pas për Tërbunin e Pukës, tashmë ka firmosur me Kastriotin.
Cilësitë e tij në prapavijë kanë bindur drejtuesit krutanë t’i thonë “Po” shtatlartit tropojan.
Është vetëm 22-vjeç, por në qendër të mbrojtjes ka treguar siguri. Ai është aktivizuar në ndeshjet miqësore të Kastriotit duke lënë përshtypje të mira në stafin teknik.
Zhivanaj ishte para 3 sezonesh pjesë e skuadrës së parë të Tiranës. Mosha e tij e re e bëri të pamundur që shtatlarti të kishte minuta të plota në ekipin bardheblu.
Ndaj për t’u rritur në aspektin sportiv zgjodhi ligat më të ulëta, për të fituar edhe eksperiencën e nevojshme. Tashmë ka një rrugë të gjatë përpara.
Fillimisht i duhet të fitojë një vend titullari me skuadrën e Kastriotit e më tej të kontribuojë për objektivat e klubit krutan. Në 20 ndeshje të luajtuara me Tërbunin në edicionin që lamë pas arriti të realizonte 1 gol./newsport/