Për të nëntin vit me rradhë, në Shkodër po organizohet turneun i tenisit “Shkodra Indoor 2017” dhe ajo çfarë kënaq më shumë organizatorët e tij është padyshim rritja e pjesmarrësve por edhe e cilësisë nga viti në vit. Ky turne organizohet nga “Shkodra Tenis Club” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Sportklub Vllaznia. Për 6 ditë me rradhë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” u është dhënë mundësia rreth 100 pjesmarrësve nga Shkodra, Tirana por edhe nga Ulqini (Mali i Zi) dhe nga Kosova, për të treguar vlerat e tyre.
Vetëm në kategorinë e seniorëve, sivjet morën pjesë 40 pjesmarrës dhe ky është një tregues që flet vetë. Agron Hafizi, një prej organizatorëve të këtij turneu, pjestar i “Shkodra Tenis Club”, duke folur për “Shkodra Sport”, ndër të tjera bën të ditur se interesi për këtë sport është çdo vit në rritje në Shkodër. “Nëse në edicionin e parë në vitin 2009, pjesmarrësit ishin thuajse të nivelit amator, tashmë niveli i pjesmarrësve ka ardhur duke u rritur sepse marrin pjesë sportistë profesionistë nga Ulqini, nga Kosova apo dhe nga Tirana përveç atyre nga Shkodra. Po mundohemi ta përhapim këtë sport dhe aktualisht në Shkodër stërviten rreth 100 fëmijë. Besoj se shumë shpejt, ka për t’u bërë një sport shumë i hapur për një masë të konsiderueshme të rinjsh”- ka deklaruar ai. Nga ana tjetër, një nga surprizat e turneve të tenisit në Shkodër është padyshim edhe një legjendë e futbollit shqiptar, Hysen Zmijani. Ai është jo vetëm një pasionant i këtij sporti por edhe një lojtar shumë i mirë. “Unë e kam pasion të dytë. E kam mësuar që në Francë kur kam luajtur futboll dhe vazhdoj ta ushtroj. Shoh me kënaqësi që po rritet interesi për këtë sport por duhen terrene sportive. Nuk mundet që 150 mijë banorë që ka Shkodra të ushtrohen në 2 apo 3 fusha tenisi që ekzistojnë aktualisht”- ka thënë ai.
Garat janë zhvilluar me rivalitet. Në gjysmëfinalen e parë Ardi Bleta ka fituar 9-5 me Mildon Kumarakun ndërsa në gjysmëfinalen e dytë, Tedi Beni ka fituar 9-6 ndaj Hysen Zmijanit. Finalja ka patur rivalitet dhe në fund ka qenë Tedi Beni që ka fituar 9-7 ndaj Ardi Bletës dhe kësisoj është shpallur ai fitues i turneut të nëntë të tenisit “Shkodra Indoor”.
Ndërkohë, përpara dorëzimit të kupës, organizatorët kanë shpërndarë edhe disa çertifikata mirënjohje për Bashkinë Shkodër por edhe për disa personazhe të tjera të cilët po kontribuojnë për promovimin dhe zhvillimin e sportit të tenisit. Pas përfundimit të garave të seniorëve, turneu do të vazhdojë me konkurrimin për grupmoshat e tjera.
© shkodrasport.com