Gjeografia e shpërndarjes së sportistëve shkodranë nëpër botë ka një shtrirje të madhe, por ajo që është më e rëndësishmja, ato po spikasin jo vetëm në futboll por edhe në sporte të tjer.

Rasti i këtij shkrimi është shumë interesant. Ka të bëjë me shkodranin Ardit Kurtaj i cili prej vitesh jeton në Austri dhe atje merret me sportin e skibob.

Po çfarë është skibob? Kemi të bëjmë me një sport dimëror që është i ngjashëm me atë të skive, por këtë herë sportisti ecën mbi një biçikletë e cila në vend të rrotave ka ski.

Skibob është një sport që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha ndonëse ka tashmë shumë vite që ekziston. Madje FISB (Federata Ndërkombëtare e Skibob) është krijuar që në vitin 1961 ndërsa gjashtë vite më vonë është zhvilluar edhe kampionati i parë botëror.

Që atëherë Botëroret zhvillohen rregullisht dhe kampionati i rradhës është zhvilluar ditët e fundit në Nassfeld të Austrisë dhe në të, përveç sportistëve nga Austria, Çekia, Zvicra, Gjermania, Polonia, Luksemburgu, Anglia, Irlanda, ka patur edhe një sportist që ka përfaqësuar Shqipërinë.

Bëhet fjalë pikërisht për shkodranin Ardit Kurtaj i cili ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe me kohën e arritur 1:48:76 ka lënë prapa disa sportistë nga Anglia, Irlanda, Luksemburgu e Turqia.

Fakti që për herë të parë një shqiptar merr pjesë në një Kampionat Botëror të këtij sporti, padiskutim është për t’u veçuar. Ardit Kurtaj është ndërkohë i vëllai i fotografit të mirënkohur Fatlum Kurtaj dhe po punon me shumë pasion në këtë sport dhe me shumë siguri në kampionatet e ardhshme do të tentojë të bëjë paraqitje më të mira dhe pse jo, të synojë edhe futjen në zonën e medaljeve.
Gjon Gjeka