Paraditen e sotme është zhvilluar edicioni i tretë i kupës “Agim Tafili”. Një edicion që sivjet ka përkuar me ditën e 55-vjetorit të lindjes së një prej figurave legjendare të biçikletës shqiptare. Ajo është organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Sportklub Vllazninë. Gara dhuroi emocione të mëdha e rivalitet mes garuesve. Garat e këtij edicioni u zhvilluan në dy kategori: Kadetë dhe junior/Elitë (U-23). Distanca e përshkuar nga kadetët ishte më e shkurtër, Lezhë-Shkodër, ndërsa çiklistët e kategorisë U-23 u nisën nga Tirana dhe e mbyllën garë në Shkodër.

Në përfundim të etapës për kadetë, fitues doli çiklisti Sali Ballgjini i Teutës, që la pas Ridvan Tafilin e Vllaznisë dhe Reis Ferhatin e Vllaznisë. Duhet përmendur se disa metra larg finishit, ka patur një incident teksa janë rrëzuar katër sportistë, tre të Vllaznisë mes të cilëve edhe pretendenti kryesor për fitimin e kësaj gare Bruno Kola, si dhe një çiklist i Teutës. Çiklistët shkodranë kanë qenë shumë të irrituar me kundërshtarin e tyre teksa kanë menduar se gjithçka ka qenë e qëllimshme për të favorizuar dy durrsakët e tjerë që zunë dy vendet e para. Megjithatë çdo gjë ka kaluar paqësisht dhe fituesit nuk kanë ndryshuar.Ndërsa në kategorinë U-23 (Elitë) triumfoi çiklisti fierak Krisel Sota, që la pas Olsion Veliaj të Tiranës dhe Besmir Banushi, po të Apolonisë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet ka qenë e kënaqshme, pasi morën pjesë shumë çiklistë nga ekipet kryesore në vend. Gara ka qenë e fortë dhe me rivalitet e të dyja garat u vendosën me sprint. Drejtuesit e FSHÇ-së zhvilluan në përfundim të garave edhe një ceremoni të shkurtër, ku morën pjesë edhe familjarë të ish-çiklistit Agim Tafili, pikërisht djali i tij Alsidi dhe i vëllai- Shkëlqimi.”Jemi shumë të lumtur që ne si Federatë organizojmë sërish këtë kupë në nderim të këtij emri të madh të çiklizmit shqiptar siç ka qenë Agim Tafili. Ai nuk ka vdekur por është gjallë mes nesh dhe i tillë do të mbetet përjetë. Më kë kënaqur edhe ecuria e ekipit të Vllaznisë i cili nga gara në garë po vjen duke e rritur performancën e tij kjo falë punës së bërë nga sportistët, trajneri dhe presidenti i këtij ekipi Leonard Kola. Jam i bindur se brenda dy vitesh ky ekip ka për të dominuar në çiklizmin shqiptar”- ka thënë për gazetën presidenti i Federatës Skënder Anxhaku.
Gjergj KOLA

Djali i Agim Tafilit- Alsidi me presidentin e Federates se Çiklizmit Skender Anxhaku gjate ceremonise se kupes organizuar sot.