Reali i Madridit do të luajë ditën e sotme kundër Betisit me një fytyrë praktikisht të re, Eden Hazard. Sulmuesi belg është rikthyer në listën e lojtarëve të grumbulluar pas një muaji. Ai luajti vetëm disa minuta më 13 mars kundër Elçes dhe pastaj pati dy dëmtime radhazi.

Nuk luan si titullar që prej 30 janarit dhe minutat e tij të fundit në Champions kanë qenë në nëntorin e vitit 2020 kundër Interit në “San Siro”. Pas dy dëmtimeve muskulore në Madrid u hap një debat në lidhje se si duhet ta trajtonte këtë situatë. Në federatën belge donin që ai të operohej dhe të rikuperohej me shpejtësi, ndërsa në Madrid donin që rikthimi të ishte i qetë dhe pa rrezik. Në këtë mënyrë, Eden Hazard është rikthyer të punonte me grupin që prej 2 prillit, por asnjëherë nuk ka qenë i grumbulluar.

Trajneri Zidan nuk ka dashur që ta nxitojë, por ta lërë të punojë shumë ditë deri sa të jetë në 100% të formës. Pati sërish frikë dhe ankth në kampin madrilen, kur Hazard nuk u stërvit me skuadrën, por qëndroi në palestër. Zidan e konfirmoi që ai do të jetë gati për mbrëmjen e sotme kundër Betisit. Ky është një rifillim për belgun, i cili ka pasur shumë probleme fizike dhe në sezonin e tij të dytë në Madrid nuk ka bindur aspak.

Ky është një lajm pozitiv për madrilenët përpara ndeshjeve të rëndësishme në kampionat dhe për ato në Champions ndaj Çelsit. Ai sfidon të shkuarën dhe mund të japë një kontribut për të shkuar sa më larg. Do ta ketë të vështirë të marrë vendin në formacion, pasi Vinicius Xhunior po bën mjaft mirë.