Trajneri Zinedine Zidane ka informuar drejtuesit e Real Madrid se mund të largohet nga skuadra në fund të këtij sezonit.

Lajmin e ka konfirmuar e përditshmja spanjolle “AS”. Francezi është në sezonin e tij të tretë në krye të skuadrës “merengues” dhe pas dy sezonesh në majë, këtë vi tai po kalon një moment të vështirë.

Zidane ka pranuar në konferencën e shtypit se puna e tij në krye të Real është bërë e “shumë e lodhshme” dhe se një ndryshim mund të ishte si në të mirën e tij ashtu dhe të klubit.

Sipas “AS”, trajneri ka kontaktuar me presidentin Florentino Perez se mund të largohet verën e ardhshme, pavarësisht rezultateve që mund të arrijë skuadra deri në maj.

45-vjeçari, që në gusht të vitit të kaluar rinovoi kontratën me “Los Blancos” deri në vitin 2020, duket se kërkon të provojë një aventurë të re.

Zidane është gati të ndërpresë në mënyrë konsensuale kontratën me Real dhe për këtë gjë është gati të ulet në një tavolinë me Perez për të biseduar për të ardhmen.

“Do të ulemi me presidentin në një tavolinë për të diskutuar për të ardhmen, nëse do të qëndroj në këtë detyrë apo jo”, ka deklaruar Zidane.

Mediat spanjolle deklarojnë gjithashtu se Zizu ka një dëshirë, të drejtojë kombëtaren franceze në të ardhmen, detyrë që aktualisht e mbulon Didier Deschamps., ish-shok skuadre me “gjelat”./telesport/