Pas shumë momentesh të vështira, duket se edhe për Vllazninë e futbollit po vijnë lajme të mira. Nëse deri dje është thënë e stërthënë se mungojnë të interesuarit për të marrë drejtimin e klubit më të vjetër në Shqipëri, tashmë kemi edhe një emër konkret.
Në Shkodër prej pak kohësh po “zien” lajmi se Alban Xhaferri, që financon për basketbollin shkodran, mund të marrë drejtimin e skuadrës së futbollit, që për hir të së vërtetës nga mungesa e një presidenti ka vuajtur shumë në vitet e fundit, duke kthyer si objektiv mbijetesën, dhe duke mos luftuar e denjë, as Europën apo trofetë.
Nga burime të “Gooal News Albania” mësohet se, dëshira ekziston megjithatë çdo gjë tashmë varet nga dashamirësia e Bashkisë Shkodër për arritjen e një marrëveshje të mundshme. Faktikisht, edhe në mediat shkodrane, Xhaferri ka pohuar hapur interesin e tij, por ama në një marrëveshje me rregulla dhe jo thjesht si administrator klubi.
Vetë ai ende nuk ka asgjë të qartë se çfarë mund të ndodhë dhe si mund të bëhet ky bashkëpunim, por e rëndësishme është që ai ka shprehur dëshirën. E gjitha kjo ka ardhur pikësëpari nga kërkesa e shumë tifozëve të Vllaznisë të cilët i kanë kërkuar të investojë tek futbolli.
Normalisht, kuptohet që një kërkesë e tillë ka zgjuar interesin për ta marrë seriozisht një investim të tillë, megjithatë çdo gjë është në hapat e parë. Koha për këtë gjë duket e favorshme sepse kampionati aktual po shkon drejt fundit dhe në rast akordi me Bashkinë Shkodër, mund të nisë puna edhe përgatitjet për sezonin e ri.
Në një vit e gjysëm që drejton basketbollin, Alban Xhaferri ka dhënë shembullin më të mirë se mund ta bëjë si duhet detyrën e presidentit duke e marrë ekipin nga fundi i renditjes dhe duke e shndërruar atë në pretendent për fitimin e trofeve.
Dëshira e tifozëve është që kjo gjë të ndodhë edhe me futbollin, gjithnjë nëse mes Bashkisë Shkodër dhe këtij biznesmeni ka një akord. Në ditët në vijim me shumë mundësi mund të ketë më shumë informacion në lidhje me këtë çështje, por ajo që ka rëndësi në këtë periudhë është se më në fund ka edhe lajme të mira për futbollin shkodran, por tashmë gjithçka mbetet në dorën e Bashkisë së Shkodrës.