Mauricio Sarri është pa dyshim mendimi negativ i parë në kokën e miliona tifozëve të Juventusit, duke parë se pas Superkupës së Italisë, trajneri i ri bardhezi dështoi edhe në misionin e Kupës së Italisë.
Sigurisht që akuzat e shumta të ardhura në uebsajtin e klubit torinez, të mbushura me mllef, pakënaqësi e mosbesim nga ana e ultrasve të kampionëve të Italisë kanë bërë punën e tyre, duke mos qëndruar indiferentë edhe në sytë e medias, por me sa duket në një mbledhje të djeshme me drejtuesit e klubit, zëvendëspresidenti Pavel Nedved dhe drejtori sportiv, Fabio Paratiçi, kanë qetësuar 61-vjeçarin.
Gjithsesi, lëvizja që nuk pritet që të qetësohet lehtë është ajo e tifozëve të Juventusit, të cilët kanë nisur të mblidhen të shumtë nëpërmjet rrjeteve sociale, duke kërkuar pikësëpari “kokën” e Mauricio Sarrit, por akoma më shumë se kaq, i kërkohet klubit rikthimi në stol i Masimiliano Alegrit.
Tekniku livornez, i cili 6 vite më parë pritej me gurë e pështyma në Torino, duket se ka ditur se si të fitojë zemrat dhe besimin se mbështetësve të “Zonjës së Vjetër”, ndonëse ai që shuan shumë prej shpresave të tyre është mësuesi i “Kontit Maks”, Xhovani Galeone. “Është normale që tifozët të kërkojnë rikthimin e Alegrit në pankinën e Juventusit, sepse nëse sheh tabelën e renditjes, ajo tregon qartë se Sarri ka 10 pikë më pak sesa kishte Masimiliano një vit më parë.
Për më tepër, Sarri ka humbur 3 ndeshje në Serinë A, pa harruar edhe finalet e Superkupës së Italisë, Kupës së Italisë dhe aq më tepër ndeshjen e vajtjes në Champions, përballë Lionit. Por ajo që më trondit më shumë është mënyra se si Juventusi u mposht në finalen e kupës, ku Gatuzo arriti që ta bllokojë skuadrën e Sarrit, edhe pa iu dashur që të bënte asnjë faull serioz.
Gjithsesi, me sa di unë, Alegri tashmë mendon për të stërvitur jashtë Italisë, ndoshta në Angli, ndonëse deri tani ka refuzuar ofertat e Arsenalit, Çelsit dhe Realit të Madridit.