Të gjithë e mbajnë mend mënyrën si luante, mënyrën si depërtonte në krahun e djathtë, si krosonte, si driblonte madje edhe si shënonte. Hysen Zmijani padyshim që është mbrojtësi i djathtë më i mirë jo vetëm në historinë e Vllaznisë por edhe atë të kampionatit shqiptar. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ai ndalet pikërisht tek loja në krahë e dy mbrojtësve aktualë të kuqebluve.
Fillimisht tek lojtari që “e ka zëvendësuar” në të djathtë, Olsi Gocaj, për të cilin ka vlerësim pozitiv por pret më shumë prej tij. “Gocaj duhet të marrë diçka më tepër përsipër sepse ka një bagazh teknike, ka një kros shumë të bukur,ka një pas shumë të bukur, ka mençuri por më duket se e menaxhon më shumë sesa duhet veten dhe nuk jep atë çfarë ka. Shpresoj ta bëjë këtë sepse tashmë ka edhe një potencial në mesfushë për me pasë mundësinë për ta qarkulluar topin që ndoshta deri dje nuk e ka patur Vllaznia”- thotë mjeshtri Zmijani për të. Ish- lojtari i kombëtares ka edhe një këshillë për mbrojtësin e krahut të majtë në ndeshjen e fundit, atë ndaj Gurishtës i cili gaboi në rastin e golit megjithatë nuk ndalet tek ky moment kur deklaron: “Tek Gurishta pati disa dobësi në ndeshjen me Teutën. Nga ana e luftës sportive ai djalë nuk lë gjë mangut por duhet të punojë në rritjen e cilësisë sportive sepse ka dy vite që luan rregullisht në skuadër dhe duhet të jetë më kërkues tek vetja.I ka të gjitha mundësitë për t’u rritur nga ana profesionale sepse vetëm kështu do t’i shërbejë vetes dhe Vllaznisë”.
© shkodrasport.com