Largimi i Hasan Likës nga pankina e Vllaznisë për arsye se i duhet të udhëtojë drejt SHBA-së për arsye familjare, erdhi si një lajm i papritur në opinionin sportiv shkodran. Shumëkush mendon se vendimi i drejtuesve të klubit për ta lënë të lirë, ka qenë mëse i drejtë tashmë që objektivi thuajse është arritur.

Ndërkohë duke folur në lidhje më këtë çështje, një nga emrat më të mëdhenj të historisë së Vllaznisë Hysen Zmijani shprehet: “Nëse e marrim nga ana profesionale, veprimi i Hasan Likës për të braktisur ekipin pa mbaruar ende kampionati, nuk është ai i duhuri, megjithatë duke qenë në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë dhe kontrata nga sa mora vesh është zgjidhur me një marrëveshje xhentëlmenësh”.

I pyetur në lidhje me atë se si e gjykon punën e bërë gjatë këtyre muajve në krye të Vllaznisë të Hasan Likës, Zmijani shton: “Objektivin thuajse e ka realizuar. Ndoshta nuk e çoi deri në fund por unë them se 99 % e ka çuar aty ku kemi dashur ne dhe ai. Kështu që shpresojmë realizimin sa më shpejt të këtij objektivi në mënyrë që edhe Hasanit (Likës) të mos i shkojë mundi dëm”.

A mund të kishte bërë diçka më mirë në punën e tij Lika? Ish- mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare përgjigjet: “Mbase duhej të kishte bërë diçka më shumë në aktivizimin e elementit të ri. Tani ishte momenti më i mirë për ta bërë këtë gjë, kur ekipi ishte në kategori të parë.

Këtu mund të provoheshin ato sepse në Superiore, do të jetë shumë herë më e vështirë dhe ndoshta vetëm një apo dy futbollistë mund të depërtojnë. Megjithatë ne që jemi jashtë, e kemi të kollajtë të flasim por Lika i ka ditë më mirë gjërat dhe përderisa e ka çuar ekipin deri këtu, patjetër që duhet ta vlerësojmë punën e tij”.
© shkodrasport.com