Në kampin shkodran ka optimizëm në pragndeshjen me Flamurtarin. Ajo do të zhvillohet nesër në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kjo mund të jetë ndeshja e fundit para mbylljes së këtij impianti sportiv për shkak të punimeve që do bëhen aty. Stërvitja e sotme e kuqebluve është zhvilluar pikërisht në tapetin e gjelbër të këtij stadiumi. Pas përfundimit të saj, trajneri Luan Zmijani është shprehur kështu për mediat: “Kemi një mundësi të mirë ta fitojmë këtë ndeshje dhe të ngjitemi në vendin e gjashtë në renditje. Kuptohet që gjërat tashmë po shkojnë mirë, skuadra ka dëshirë dhe grintë dhe besoj se duke luajtur në këtë mënyrë, do të fitojmë ndaj Flamurtarit.
Kemi sërish mungesa por kjo nuk na bën më përshtypje. Ato që do të luajnë duhet të japin më të mirën për ta fituar këtë ndeshje”. Në seancën e sotme ka munguar sërish portieri Selimaj që është i dëmtuar dhe për këtë arsye edhe nesër në portë do të jetë 17 vjeçari Sherri. Po ashtu mungon edhe Beqiri i ndëshkuar me karton të kuq ndaj Tiranës por rikthehen pas skualifikimit Sykaj e Shtubina.
© shkodrasport.com