Hysen Zmijani, një prej ikonave të futbollit shkodranë e atij shqiptar, ka vlerësuar rezultatet e ekipit të Vllaznisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet se Vllaznia nuk ka shkëlqyer me lojërat e zhvilluara, por ka qenë tepër racionale në rezultatet e marra, duke marrë me shumë meritë vendin e parë.Ai, përmes të tjerave, ka kërkuar që ekipi të zhvillojë një lojë më bindëse, pasi në këtë drejtim nuk ka qenë në pritshmëritë e duhura.
Zmijani, Vllaznia e para pas pesë javësh. Si ju duket ekipi?
Është një kënaqësi që t’i shikosh aty. Kur ke rezultate, shumë gjëra nuk shikohen, por unë sërish nuk jam i kënaqur me lojën e zhvilluar. Rezultati është i pari, por përsëri loja të lë për të dëshiruar. Por tani kanë mundësi për luajtur dhe për ta shtruar më shumë topin. Shikoj se ka ende probleme në këtë drejtim. Mesfushën s’e kemi të keqe për të bërë një gjë të tillë. Tani duhet që të bindim edhe me lojë, pavarësisht se rezultati duket sikur mbyll gjithçka. Ne duam spektaklin, por goli dhe fitorja mbyllin gjithçka.
E kishit pritur një start kaq efektiv nga skuadra e Brdariç?
Të them të drejtën, jo. Nga një herë edhe shansi të buzëqesh dhe nga njëherë shkon tek ai, që investon më shumë.