Më në fund zbardhet objektivi që do të ketë Vllaznia në sezonin e ri futbollisti. Ai do të jetë zënia e një vendi në mesin e tabelës së renditjes dhe zhvillimi i një kampionati dinjitoz. Këtë deklaratë ka bërë pasditen e sotme trajneri i kësaj skuadre Luan Zmijani. Duke folur në pragndeshjen me Skënderbeun, ai është shprehur: “Objektivi i Vllaznisë në sezonin e ri futbollistik do të jetë zënia e një vendi në mesin e tabelës dhe zhvillimi i një kampionati dinjitoz. Kjo ka ardhur pas një analize të situatës. Synimet tona janë për të bërë një kampionat sa më dinjitoz.

Ndërsa do të kërkojmë sërisht ndërhyrje në kampionat pasi lojtarët që kanë ardhur nuk janë ato që ne kemi kërkuar”- është shprehur ai pasditen e sotme. Numri 1 i pankinës shkodrane ka folur edhe për përballjen e nesërme me Skënderbeun për të cilën ka thënë se do të ketë ndikimin e vet edhe fakti që ndeshja do të luhet në Pukë.  “Ishte një lajm jo shumë I mirë për ekipin që të luajë në Pukë. Megjithatë unë mendoj se skuadra është e përgatitur për t’i bërë ballë një ekipi si Skënderbeu edhe në Pukë. Ndryshime do të ketë nga takimi me Teutën. Megjithatë mund të them se kemi patur shumë probleme me dëmtime dhe viroza gjatë kësaj periudhë, por unë shpresoj se djemtë do të dinë që të tregojnë më të mirën në këtë takim. Do të kërkojmë më të mirën e mundshme. Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Shpresoj që në fushën e Pukës të kemi edhe fatin me vete. Jemi përgatitur për t’i bërë ballë kësaj skuadre së  cilës ia dimë mirë forcën. Ka 5 tituj kampion, rradhazi afrime të shumëta dhe për më tepër një bosht të ruajtur prej pesë vitesh, por kjo nuk duhet që të na bëjë të jemi inferior dhe të ndjejmë frikë përballë kësaj skuadre por do të kërkojmë rezultat pozitiv ndaj saj” – ka deklaruar Luan Zmijani, trajneri i Vllaznisë në këtë sezon.

www.shkodrasport.com