I dëshpëruar në maksimum nga disfata e rëndë sot ndaj kazakistanasve të Astanës, Luan Zmijani është shfaqur shumë i mërzitur në konferencën e shtypit të pasndeshjes.
Sipas tij, arsyet që çuan në atë humbje janë të shumta, por mbi të gjitha mospërkushtimi sa duhet i lojtarëve në fushë.
“Kjo humbje ishte “një dush i ftohtë” për të gjithë ne. Kazakistanasit na mësuan si luhet futboll. Nuk mund të rivalizojmë me ekipe të tilla shumë të përgatitura kur vetëm një lojtar i Vllaznisë përpiqet dhe jep maksimumin në fushë ndërsa dhjetë të tjetër bëjnë sehir.
Kjo ndeshje tregoi edhe njëherë tjetër problemet e futbollit shqiptar. Ajo që më bën përshtypje është se në stërvitje këta djem shfaqim shumë dëshirë, por kjo nuk transmetohet në fushë në ndeshje të tilla.
Nëse nuk ndryshojmë mentalitet, do të jetë e vështirë për t’u përballur me ekipet e tjera të huaja”.
© shkodrasport.com