Kur sot në orën 18:00, Vllaznia U-19 do të zbresë në fushën e “Stadionul Zimbru” në Kishinau të Moldavisë, ajo do të hyjë në histori si skuadra e parë shqiptare që luajti në “UEFA Youth League”, versioni “Junior” i Ligës së Kampioneve. Edhe pse përballë ka një ekip jo me emër të madh, si FK Zimbru i Moldavisë, kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Luan Zmijani dhe Gjon Kola, janë përgatitur seriozisht për t’u kthyer në Shkodër me suksesin e parë ndërkombëtar.
Pasditen e djeshme skuadra ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore pikërisht në stadiumin ku do të luajnë sot. Sipas faqes zyrtare të klubit shkodran, Vllaznia.al, gjatë konferencës për shtyp, trajneri Zmijani dhe kapiteni i ekipit Rahova u deklaruar gazetarëve vendas se Vllaznia nuk ka udhëtuar për turizëm drejt Moldavisë por do të kërkojë të marrë një rezultat sa më të mirë në mënyrë që të tentojë kualifikimin për në turin e dytë të këtij kompeticioni.
© shkodrasport.com