Ish-futbollist I Vllaznisë Hysen Zmijani nuk është aspak I kënaqur me ecurinë e saj në këtë sezon. Oshilacionet e shumta që ajo po tregon, mungesa e perspektivës për të ardhmen, merkatoja jo cilësore dhe shumë gjëra të tjera, e kanë bërë atë që të mos jetë dakord me atë çfarë po ndodh me kuqeblutë. Pikërisht për këtë, ndonëse ata kanë barazuar në ndeshjen e fundit me kavajasit, Zmijani thotë se nuk ishte një rezultat I favorshëm për shkodranët e për këtë shprehet: “Në ndeshjen ndaj Besës, për më tepër që luhej në fushë asnjanëse dhe Besa vinte pas një humbje të thellë me Kukësin, prisja një Vllazni më ndryshe pavarësisht se edhe ajo vinte pas një humbje. Unë nuk e konsideroj rezultat pozitiv barazimin në këtë ndeshje, për më tepër që loja e skuadrës sonë vazhdon të mos na bindë. Kam dëgjuar të thuhet se Vllaznia luajti mirë ndaj Tiranës por unë nuk mendoj kështu. Unë them se Tirana luajti shumë dobët në atë ndeshje, sidomos në pjesën e parë dhe të them të drejtën nuk e kam parë këtë skuadër ndonjëherë më keq se atë ditë. Megjithatë edhe Vllaznia nuk po bën asgjë. Po tregon shumë oshilacione dhe kjo po ndikon dhe në rezultate. Nuk është kjo skuadra që të gjithë presin”. Zmijani flet herëpashere. E bën pa problem. E bën se nuk ka asnjë interes për ndonjë post a diçka të tillë. E bën sepse e ndjen për detyrë ta bëjë ngaqë ka dhënë jo pak për këtë skuadër dhe për këtë fanellë. “Na konsiderojnë opozitë ndoshta ne që flasim por e bëjmë këtë sepse e ndjejmë, na djeg kjo skuadër dhe rezultatet e saj. Unë pres shumë më tepër nga futbollistët paçka se shkëndijën e parë e merr trajneri. Kuptohet që ai ka përgjegjësinë e vet në disa gjëra megjithatë futbollistët duhet të jenë ato që duhet të reagojnë të parët. Peshën më të madhe të fajit në këtë e kanë lojtarët, ata ose nuk vrapojnë ose nuk kanë përgatitje fizike sepse ka diçka që nuk shkon në lojën e tyre. Pikërisht nga mungesa e përgatitjes fizike nuk shohim prodhim loje nga Vllaznia”. Por faji I kujt është që Vllaznia nuk ka formë fizike, sigurisht që në rradhë të parë faji për këtë I takon trajnerit për mënyrën si e ka stërvitur skuadrën. Por jo të gjitha fajet duhet t’ia lëmë atij sepse edhe lojtarët kanë përgjegjësinë e vet, për mënyrën e mbajtjen së rregjimit dhe shumë gjëra të tjera”- thotë shefi I Zyrës Rajonale të FSHF-së në Shkodër. Kritikat e Zmijanit bazohen kryesisht tek merkatoja që Vllaznia ka zhvilluar. Dhe jo vetëm këtë sezon por ajo tashmë e ka kthyer në modë të gabojë rregullisht dhe për këtë shton: “Shumë prej lojtarëve të ardhur nuk po japin asgjë. PIkërisht në Shkodër tek Vllaznia, luajnë futbollistë që nuk kanë asnjë diferencë me futbollistët shkodranë. Blihen 12 futbollistë dhe shumë prej tyre dalin të dështuar e po ashtu harxhohen edhe shumë para për to ndërkohë që me çerekun e tyre kishim mbajtur në Shkodër lojtarë si Bala e Vajushi apo dhe shkodranë të tjerë që luajnë me sukses nëpër ekipet e Superligës. Tek Vllaznia tashmë po bëhet e modës për të gabuar çdo sezon në merkato. Sigurisht që edhe Reali I Madridit gabon në merkato, por gabon në një apo dy lojtarë ndërsa Vllaznia po gabon në 10 apo 12 lojtarë që blen, thuajse të gjithë janë zhgënjim”. Hysen Zmijani mbahet mend për lojën e bukur si futbollist, për daljet e tij në krah dhe shumë gjëra të tjera. Pikërisht për këtë, ngul këmbë që skuadra e sotme nuk sjell asnjëfarë kënaqësie dhe sadisfaksioni për ta parë. “S’ma merr mendja që edhe Duro është I kënaqur me këtë lloj futbolli që luan aktualisht Vllaznia. Ky nuk është futbolli I saj. Po dëgjojmë lart e poshtë se me Tiranën, Besën apo ndonjë skuadër tjetër, ajo ka luajtur mirë. Unë e di kujt I thonë lojë e mirë këta njerëz? Nuk është e vështirë të dallosh lojën e bukur me këtë që po bën sot Vllaznia. Dy ndeshjet e fundit të saj për këtë fazë, ndërkohë I shoh shumë të vështira. Nëse me Kastriotin, Vllaznia edhe mundet ta kalojë apo të marrë një rezultat pozitiv, me Flamurtarin them se do ta ketë shumë të vështirë prandaj unë gjykoj se skuadra shkodrane në këtë periudhë do hasë jo pak vështirësi dhe do duhet një angazhim maksimal për të marrë rezultatet e duhura dhe për të mos rënë më shumë në renditje”- thotë më tutje Hysa. Pavarësisht kritikave, pjestari I 11-shes më të mirë të 90 viteve të Vllaznisë, mendon se nuk është momenti që Duro të largohet. Logjika e tij për këtë është e qartë dhe prandaj në fund do të shprehej: “Nëse nuk ka ikur Duro, mirë është bërë sepse sa më shumë të qëndrojë një trajner në krye të një skuadre, aq më mirë është. Nëse gjërat nuk kanë shkuar mirë që më fillim, trajneri duhej të ishte larguar që në fillim por kur kalojnë 9, 10 apo 11 ndeshje, nuk është normale. Mirë që po ikën një trajner, por çfarë të mirë I sjell skuadrës. Ai që vjen, do t’ia fillojë prej A-së. Edhe Murinjo të vijë, nuk mund ta ndryshojë situatën ndoshta. 3-4 ndeshje trajnerit të ri do t’I shkonim duke ia lënë fajet trajnerit paraardhës dhe kur ai të fillojë të lërë gjurmët në skuadër, kampionati ka mbaruar”.
Gjergj KOLA
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Zmijani: Tek Vllaznia është bërë e modës të gabojë në merkato