Shefi i Zyrës Rajonale të FSHF-së për Shkodrën, Hysen Zmijani konstaton se shumë prej trajnerëve që punojnë me ekipet e Ligës Amatore të kësaj zone, janë çuditërisht “të etur” për rezultat. Një gjë e tillë sipas tij është e papranueshme sepse nuk i vlen të ardhmes së këtyre futbollistëve. “Për fat të keq konstatoj se shumë prej trajnerëve nuk e kanë shumë mendjen tek mësimi i fëmijëve për të luajtur futboll. Ata duan me çdo kusht të fitojnë, dikush thotë se nëse nuk zë vendin e parë në kampionat, e largojnë nga puna si trajner, të tjerë duan të justifikohen para prindërve.
Kjo nuk është aspak normale. Vërtetë mund të ketë ndonjë mangësi në organizim por jo sa për të menduar se gjërat bëhen me dashje kundër tyre. Nuk ia vlen kjo mënyrë të punuari. Ndoshta sot krenohemi me disa tituj kampionë me moshat por në fakt ato mendoj se nuk duhet të kenë shumë rëndësi. Vllaznia sidomos gjatë gjithë historisë së saj nuk është shquar për fitimin e trofeve me ekipet zinxhir por ama ka nxjerrë më shumë se çdo qytet tjetër lojtarë të rinj të talentuar. Trajnerët nuk duhet të nisen nga këto mendime. Mendoj se vlera e tyre do rritej më shumë nëse ata do mbaheshin mend sesa futbollistë cilësorë kanë nxjerrë për Vllazninë dhe ekipin kombëtar”-ka thënë Zmijani. Vetë ai nuk ka shumë vite që ka ardhur nga një përvojë e gjatë jashtë vendit. Andej, ka parë sesi punohet, sa rëndësi i kushtohet futbollit të moshave prandaj dhe thotë se gjërat duhet të ndryshojnë edhe në Shkodër. Kjo në mënyrë që ky qytet të jetë sërish shembull për nxjerrjen e talenteve të reja.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)