I ftuar në rubrikën Star Sport mbrëmë ishte edhe zv.trajneri i Vllaznisë u17, Denis Zmijani. Ish-futbollisti shkodran komentoi për fitoren e kuqebluve kundër Kukësit duke e cilësuar tërësisht të merituar. Por gjithashtu theksoi se fitorja duhej të ishte siguruar që më herët me gjithë rastet që krijoi ekipi i Joses.
Zmijani u shpreh duke thënë: “Ishte një ndeshje që Vllaznia e dominoi totalisht. Në mbajtje topi, kontroll loje dhe raste të shumta. Nuk duhet të themi se ishte fat që shënoi në fund pasi mund të themi se ishte ndoshta edhe e pafat në rastet e shumta që shkuan në shtyllë. Skuadra besoj se duhej të ishte disi më cinike duke parë se çfarë dhuroi dhe mund ta kishte mbyllur ndeshjen shumë më herët.
Në mendimin tim, trajneri Josa e kishte përgatitur ndeshjen në mënyrën e duhur kundër një skuadre kualitative si Kukësi. Që u pa qartë që në Shkodër kishte ardhur për t’u mbrojtur dhe për të shfrytëzuar kundërsulmet. Diçka që e realizoi deri diku, por në fund Vllaznia arriti fitoren. Edhe zëvendësimet që sollën freskinë, sollën edhe golin e fitores.
Me çfarë dhuroi Vllaznia, besoj se do i japë moralin e duhur për të shkuar në duelin kundër Tiranës. Edhe bardheblutë nga ana e tyre kanë zhvilluar një futboll shumë të mirë në këto dy javë, por kanë humbur 3-4 elementë të formacionit për 1 javë.
Kjo mund të jetë një avantazh në letër për Vllazninë, pavarësisht se pres nje duel shumë të fortë dhe kam besimin se shkodranët do dinë të jenë të suksesshëm në një transfertë të tillë”.
Endri ÇINARI