Formacioni i Vllaznisë për ndeshjen e së dielës ndaj Luftëtarit ka patur një dilemë, pikërisht atë se kush do të luajë në majë të sulmit nga minuta e pare e saj.
Trajneri Jonuz në ndeshjen e kaluar në Durrës aktivizoi brazilianin Uenderson por ai nuk bindi shumë. Këtë lojtar e ka aktivizuar edhe në mesjavë në ndeshjen e kupës me Burrelin, madje shënoi edhe golin e vetëm të saj.
Megjithatë kjo nuk ka mjaftuar që braziliani të bindë plotësisht trajnerin që të vazhdojë ta aktivizojë edhe ndaj gjirokastritëve.
Për këtë arsye nga sa është parë edhe në seancën e sotme stërvitore, në majë të sulmit është projektuar të luajë Silvio Zogaj.
Ky i fundit debutimin e tij në Superligë e ka pikërisht me Luftëtarin përpara dy sezonesh ndërsa tashmë do të ketë për detyrë t’u shënojë për llogari të Vllaznisë, pjesë e së cilës është.
Zogaj ka bërë paraqitje të mira në tre ndeshjet e para dhe kjo gjë ka bërë që stafi teknik t’i besojë sërish për ta rikthyer në formacion edhe për ndeshjen e rradhës.
© shkodrasport.com