Karrierën me moshat e ka filluar në Lezhë, u poq tek Vllaznia por me të rriturit kërkoi strehë fillimisht në Gjirokastër e më pas në Laç, por jo ashtu si duhet.
Silvio Zogaj me kontratën dyvjeçare që ka firmosur sot me kuqeblutë, duket se kemi të bëjmë me një rikthim të lumtur në shtëpi. Aty ku ia njohim më mirë vlerat se askund tjetër.
Prandaj dhe trajneri Lika, drejtori Firat dhe administratori Lici kanë vendosur t’i besojnë. Me ekipin e 17 vjeçarëve dhe atë U-19 të Vllaznisë Zogaj ka luajtur sa në rolin e mbrojtësit të majtë, aq edhe të mesfushorit të këtij krahu.
Në dy miqësoret e zhvilluara sëfundmi, trajneri Hasan Lika e ka aktivizuar në majë të sulmit. Sigurisht që nuk është pozicion i tij ideal megjithatë Zogaj ka treguar se mund të luajë në disa pozicione.
Sezoni në të cilin po hyjmë pritet të jetë shpërthimi i 21 vjeçarit që për dy vite do të jetë pjesë e Vllaznisë tashmë.
© shkodrasport.com