Prej pak ditësh, Vllaznia ka nisur përgatitjet dimërore në Ulqin. Një gjë e tillë është vendosur nga drejtuesit kuqeblu, që futbollistët të jenë në formën më të mirë sportive në momentin që Abissnet Superiore të rikthehet, ku kampionati për Vllazninë do të vijojë me ndeshjen ndaj Kukësit.

Megjithatë, përveç stërvitjes së përditshme, tek kuqeblutë po mendohet edhe për merkaton, ku lëvizjet duket se po studiohen me kujdes dhe afrimi i futbollistëve do të bëhet në pozicionet, ku mendohet se mund t’i shërbejnë ekipet. Në fakt, tek shkodranët po punohet me qetësi dhe kujdes në këtë drejtim. Edhe pse futbollistë cilësorë në këtë periudhë është e vështirë të gjesh, ku pistat mungojnë për pothuajse të gjitha skuadrat, tek kuqeblutë mund të tentojnë edhe rikthimin e disa futbollistëve që kanë lënë gjurmë në të shkuarën në Shkodër.

Kështu, opsione dhe futbollistë të lirë tashmë janë dy malazezët Bojan Zogoviç dhe Darko Bulatoviç. Të dy ata kanë mbyllur aventurat e tyre në Serbi dhe Kazakistan dhe tashmë janë të lirë. Së fundmi, ata kanë vizituar edhe qytetin e Shkodrës, pavarësisht se nuk dihet akoma nëse kanë pasur ndonjë takim me drejtuesit e Vllaznisë apo jo. Për rolin e numrit 10-të që tek kuqeblutë është vakant prej kohësh, dy emra që janë momentalisht të lirë dhe që mund të tentohen janë edhe Demir Imeri dhe Victor Da Silva.

Momentalisht, ata janë futbollistë të lirë dhe një rikthim i tyre në Superiore nuk përjashtohet. Në fakt, për Da Silvën thuhet se është pranë një marrëveshje në Kazakistan, por deri më tani asgjë nuk është përfundimtare dhe ndoshta mund të jetë një opsion për Vllazninë.

Megjithatë, duhet thënë se emrat e lartpërmendur, nuk është se kanë pasur bisedime konkrete me kuqeblutë, por gjithsesi ata mbeten opsione interesante në merkato, ku poashtu këta futbollistë, si Zogoviç, si Bulatoviç, ashtu edhe Imeri dhe Da Silva, gëzojnë një rrespekt të madh në rradhët e tifozërisë shkodrane dhe rikthimet e tyre do të mirëpriteshin në Shkodër padyshim. Gjithsesi, ajo që tifozët presin nga kjo merkato, janë patjetër futbollistët cilësorë e të denjë që të përfaqësojnë Vllazninë dhe jo një merkato e dështuar siç ishte padyshim ajo e verës./M.P/SHKODRASPORT.COM/