Koment nga Gjergj KOLA

Në pamje të parë duket një “luftë” e gazetarëve të Shkodrës me trajnerin e Vllaznisë Rudi Vata. Këtë të paktën mundohet të thotë trajneri sa herë që e gjen rastin. Madje, nuk ngurron të lërë as ekipin në Ulqin e të vijë deri në Shkodër në një studio televizive për të thënë se “gazetarët e Shkodrës gënjejnë, ata janë mësuar gjithë jetën e tyre të gënjejnë” e të tilla paçavura.Në të njëjtën kohë kur trajneri i Vllaznisë ishte në këtë studio, në një studio tjetër, atë të televizionit Rozafa transmetoheshin pamjet ekskluzive të listës së famshme të hartuar nga trajneri për 16 lojtarët që do largoheshin nga Vllaznia gjatë merkatos së janarit.

Këtej jepej lista, në krahun tjetër trajneri mohonte gjithçka dhe akuzonte gazetarët. Pak anormale megjithatë ndoshta Vata nuk ka ditur gjë për këtë listë. Me shumë mundësi, do t’ia kenë hartuar të tjerët atë. Nuk e paragjykojmë. Thjesht me këto foto, dua t’i tregoj se personalisht nuk kam gënjyer ndonjëherë dhe nuk e kam ves këtë gjë. Lista, fotot e së cilës po botoj më poshtë, është “vjedhur”, kështu janë shprehur disa në klubin Vllaznia, pikërisht nga unë në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë Shkodër z.Ritvan Troshani. Kjo nuk është vjedhje sepse sëbashku me operatorin e televizionit Rozafa, kemi shfrytëzuar një ftesë që vetë ai na kishte bërë për të pasqyruar një takim që kishte me disa drejtues sporti në zyrën e tij. Dhe në këtë zyrë, kjo listë ishte e afishuar në mur, aty ku shihej dhe “vidhej” nga çdokush. Lista është marrë sa për t’ia treguar z. Vata se kjo është. Në fund të fundit, si gazetarë “investigativë” që jemi ose që vetë ai ka pretenduar të bëhemi, kemi filluar të bëjmë diçka në këtë drejtim. Në fakt, ndoshta do ishte mirë që kjo listë të ishte bërë publike nga vetë Vata dhe drejtuesit e Vllaznisë që në fillim të janarit, por ne në fakt “kaq meritojmë”. Nuk na e dhanë dhe u detyruam ta gjejmë vetë ndonëse nuk e patëm shumë të vështirë. Po çfarë është kjo listë? Thjesht disa emra të shkruar, disa të shkarravitur, të tjerë të futur në rreth e të tjerëve që u është vënë kryqi. Në anën tjetër janë sërish disa emra me të cilët mendohet të ndërtohet Vllaznia e vitit 2012. Sigurisht që nuk i kemi shpikur ne. Po i shohim në listë. Ne, gazetarët, kemi thënë që në fund të janarit se trajneri Vata ka hartuar një listë për largimin e lojtarëve nga ekipi dhe në këtë listë ishin Nimani, Danaj, Muça, Petroviç por edhe Sykaj, Gocaj, Belisha, madje edhe portieri Vujadinoviç. Ky i fundit në listën që është në krahun e majtë, është në katror. Që do të thotë se ka qenë kryebashkiaku Luka ai që ka vënë veton për qëndrimin e tij në skuadër. Poshtë kemi disa shenja të rrumbullakosur për Sykjen e të tjerë. Më qartë se kush do largohej nga skuadra, e paraqet lista në krahun e djathtë. I marrim me rradhë emrat që janë në të: Smajli, Hasani, Karakaçi, Hajdari, Bardulla, Belisha (më një shenjë), Bardulla, Balaj. Më poshtë është shtuar Vujadinoviç pas vendimit për ta mbajtur në skuadër si dhe pas tij, tre blerjet që janë bërë: Brnoviç, Jabllan, Moreno. Në listën e mesit, kanë qenë të planifikuar lojtarët që duheshin blerë duke filluar me treshen Lika- Bala- Dushku, që pastaj i është vënë një kryq, për të vazhduar me Brnoviç, Moreno, Singbo, Da Silva, Dimo, Da Silva i Apolonisë si dhe dy portierët Moçka e Hoxha. Gjërat janë mëse të qarta. Çfarë kanë gënjyer gazetarët deri këtu? Për të mos thënë pastaj që nuk kemi publikuar edhe disa gjëra të tjera sepse në listën e krahut të majtë. Futbollistët Gjini, Erkoçeviç e Shaba duheshin huazuar në ekipe të tjera, Tafa e Mujeci që kanë qenë të federuar, të ktheheshin tek U-19. Gjërat besoj se janë të qarta për të gjithë. Meqenëse zoti Vata nuk e ka pranuar asnjëherë praninë e kësaj liste, thjesht po ia bëjmë të ditur cila është dhe çfarë ka të shkruar në të. Ndoshta nuk e ka hartuar vetë por ia kanë bërë të tjerët. Neve na është thënë se e ka bërë ai. “Topi” është në fushën e tij dhe shpresojmë që ta gjuajë po aq bukur, siç e ka gjuajtur kur ka qenë futbollist. Por jo në drejtim të gazetarëve. Ne ndoshta nuk jemi aq investigativë sa duhet por mund të bëhemi. Këtë Rudi Vata duhet ta ketë të qartë.