Ajo që kishim paralajmëruar ditën e djeshme ka rezultuar e vërtetë. Zëvendëstrajneri i Vllaznisë Davide Belotti nuk do ta mbajë këtë funksion më. Drejtuesit e klubit duket se ia kanë komunikuar këtë gjë atij dhe për rrjedhojë tekniku italian ditën e djeshme ka shkuar në stërvitjen e kuqebluve dhe është përshëndetur me të gjithë futbollistët. Kjo do të thotë se ai nuk do të dalë më në stërvitje dhe burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se ditën e sotme, pasi të kryhen edhe disa likujdime financiare ndaj tij, do të ndërpritet zyrtarisht kontrata. Kjo gjë ka qenë e pritshme sepse ky staf i përbërë nga katër teknikë të huaj, është sjellë tek Vllaznia nga kompania “Gea Sport”.
Tashmë që kjoe fundit nuk është më tek klubi, sigurisht që prania e kaq shumë të huajve në staf, është e tepërt për vetë financat e Vllaznisë dhe për këtë arsye, është arritur të bisedohet me Belottin dhe të arrihet marrëveshja për largimin e tij. Merret vesh se kjo gjë në fakt është e shkruar edhe në kontratë, gjithnjë nëse do të largohej “Gea Sport”. Por nëse Belotti tashmë është thuajse i larguar, pritet që në ditët në vazhdim të mësohet se kush do ta ndjekë atë sepse tashmë dihet që stafi do përgjysmohet. Bëhet fjalë për njërin në mes trajnerit të përgatitjes atletike Daniele Nervi dhe trajnerit të portierëve Sabino Oliva. Shanset më të mëdha janë që të largohet ky i fundit. Por ndërsa po flitet për trajnerë që do largohen, merret vesh që drejtuesit e klubit kanë komunikuar edhe me tre futbollistë dhe pikërisht me Durim Badallin, Edin Mujkoviç dhe portierin Gianmarco Campironi. Me të tre këta është biseduar për të parë mundësinë e rishikimit të kontratave por duket se kushtet e ofruara nga klubi shkodran nuk u kanë pëlqyer futbollistëve dhe pritet që edhe ata ta ndërpresin me mirëkuptim kontratën. Në fakt, janë lojtarë që nuk kanë patur asnjë kontribut tek skuadra deri më tani dhe prandaj largimi i tyre nuk do ndihet fare.
© shkodrasport.com