Kush është Zydi Barbullushi?!
Ai ka lindur në Shkodër në vitin 1926, në Lagjen “Garuc” të Shkodrës, e cila pati traditë çiklizmin e futbollin i cili zhvillohej rrugicave dhe potologjeve të Tophanës, ku siç kujtonte vete, Zydia, mbas futbollit luhej edhe bixhoz (Kumbar) prapa xhamisë së Garucve. Zyhdiu ka qenë nxënës i shkollës fillore të Tophanës, të cilën nuk e vazhdoj më tej pasi ishte plotësisht i dhënë pas lojërave sportive.
U shqua si luftëtar, pasionant pas bilardos në karambol, duke hyrë në historinë e këtij sporti si një nga stekat e vjetra historike të qytetit tonë. Ai, Loro Boriçi dhe Alfred Ashiku janë etiketuar si treshja më e mirë bilardos se kohës. Zyhdiu gjithë jetën mbeti aventurier i guximshëm i notit (zhytës dhe kërcimtar), të cilin e ushtroi në çdo stinë të vitit.
Si sportist më pas do të lë gjurmë të pashlyera në historinë e futbollit. Qysh në vitet 1937-1938, atëherë 13 vjeçar, fillon të luajë me skuadrën e lagjes së tij përkrah Bahri Kavajës, Ramazan Podgoricës, Haki Llazanit duke milituar në radhët e shoqërive sportive “Teuta”, “Skënderbeu”, “Tigri” e të tjerë …
Në vitin 1944 (18 vjeçar) ka qenë një nga lojtarët më të rinj të “Vllaznisë”, debuton me sukses me të rriturit dhe shpallet dy herë kampion, në vitet 1945-1946. Krahas sportit shkëlqeu edhe në fushën e muzikës ku si fizarmonist i ka pas shokë të rrallë. Në estradën profesioniste të Shkodrës është vlerësuar si mjeshtër i këtij instrumenti dhe spektatori nuk i ka kursyer duartrokitjet për interpretuesin e shkëlqyer. Ka luajtur shumë herë si solist pjesë klasike që gjithnjë janë mirëpritur nga publiku.
Zyhdiu ka dhënë kontribut të çmuar edhe në fushën e kompozimit, firmën e të cilit mbajnë një seri këngësh për fëmijë e të rritur. Emri i tij përmendet sot me respekt nga shumë e shumë fizarmonist të rinj të Shkodrës dhe zonave ë Veriut, të cilëve u mësoi mjeshtërinë e të luajturit me ketë instrument në kurset që ka drejtuar në Shtëpinë e Pionierit e të Kulturës.
Ka punuar për shumë vite si mësues i këtij instrumenti në shkollën e muzikës “Prekë Jakova”. Mban titullin Mjeshtër Sporti. “Dekoratën Naim Frashri” parë për kontributin e tij në fushën e arsimit. Në vitin 2006 ka botuar një libër me vlera memoristike të titulluar ”Një jetë mes sportit dhe artit”. Zyhdi Barbullushi eshte ndare nga jeta me 7 korrik te vitit 2015.
SI E KAM NJOHUR DHE SI E ÇMOJ DODË TAHIRIN?
Duke bashkëbiseduar vite me pare me Zydi Barbullushin, për njohjet e tij me Dodë Tahirin, zbardhëm shumë kujtime të motit të shkuar që datojnë 65 vite më përpara. Ja intervista e zhvilluar me te kohe me pare:
Pyetje: Kur jeni njohur me Dodë Tahirin, portierin e parë të Kombëtares Shqiptare?
Përgjigje: Jam njohur që në vitet e okupacionit, kur Doda erdhi nga Podgorica për të luajtur futboll me “Vllazninë”. Nuk më kujtohet fiks data, por e mbaj mend shumë mirë kur erdhi dhe e gjeti ekipin tek po luante ndeshjen stërvitore (kontrolli) në dy formacione, ku të dy portat ishin të zëna dhe Doda mbeti me duar në xhepa! Për pak çaste qëndroi duke pa me nervozizëm stërvitjen, pastaj iu drejtua Bimo Fakjes, të cilin me sa dukej e njihte më shumë se te tjerët.- Bimo ku e kam vendin?!
Formacioni behej një ose dy ditë përpara, ky formacion me sa di unë ishte bëre në shtëpinë e Loro Boriçit.- Ku do me shkua more Dodë, a sheh se i kemi të dy portat e zëna: – i përgjigj Bimoja. – Doda iku i revoltuar, duke thënë: Ta dini mirë të gjithë se nuk, kam ardhë në Shkodër me mbledhë topat tuaj pas porte. Për mua qe hera e parë dhe fundit që e kam pa Dodën, jashtë formacionit, në gjitha takimet vendimtare të viteve të mëvonshme ishte titullar i formacionit të “Vllaznisë”.
Pyetje: Si vijoi shoqëria juaj më tej?
Përgjigje: Mua e Dodën, krahas sportit, na miqësoi shumë edhe muzika. Kur udhëtonim për të zhvilluar ndeshjet kalendarike, unë fizarmonikën e merrja kudo me vete, me të cilën luaja pjesë të ndryshme ku dhe shokët e ekipit këndonin së bashku. Dodë Tahiri ka qënë kengëtari kryesor i ekipit. Ai, krahas kengëve shkodrane, këndonte gjithë pasion edhe kengët sllave, të cilave tek tuk u fuste edhe pasthirrmë shqiptare. Gjithsesi Doda kishte një zë të ëmbël, të dredhur dhe sllavishten e fliste shumë rrjedhshëm pasi ishte rritur në Podgoricë.
Pyetje: Thuhet se Tahiri për shkak të ca këngëve sllave u shoqërua për në gestapo nga gjermanët, të cilëve më pas në mënyrë spektakolare u iku duke i qëlluar me granatë. Si bashkëkohës dhe shok i tij, si qëndron e vërteta e kësaj ndodhie?
Përgjigje: Unë si shok dhe dëshmitar okular duke u mbështetë tek kujtimet e mija, personale dhe të Ernest Helepjanit, Ndrekë Gjergjit dhe Marash Hajatit, i kam kushtuar një vend të veçantë në librin tim “Një jetë mes sportit dhe artit”, ku kapitullin i VII “Njerëz dhe sportistë të shkëlqyer”, e filloi me ‘’Kujtime për Dodë Tahirin, portjerin e “Vllaznisë” dhe të Kombëtares së Shqipërisë’’ . Doda ka qënë njeri i shoqërisë dhe i qejfit.
Në ‘’Kafen e Madhe” në Shkodër së bashku me një shokun e tij duke pirë nga një gotë birre ia patën filluar një kengë sllave (Kasam sinoq), një prej lirikave të tij, të preferuara. Ky lokal frekuentohej nga gjermanët dhe kosovarët e gestapos. Kosovarët e pandehën Dodën si jugosllav (komunist) dhe e paditën tek gjermanët, të cilët në menyrë të menjëhershme e kontrolluan, i morën një pistoletë dhe e nisën për në Gestapo. Doda kishte një pistoletë tjetër dhe një granatë të fshehur mirë në trup.
Kur dolën në rrugë nxori granatën, ua hodhi gjermanëve, të cilët i plagosi dhe çau e iku duke kaluar lumin e Kirit te harlisur nga ujërat e vjeshtës. Nga ciflat e granatës, Doda u plagos lehtë, por nuk e ndali turrin deri në Dukagjin. Doda ishte një trim i madh, i pa shoq. Gjesti i tij flet vetë dhe çdo koment tjetër është i tepërt. Si njeri ishte burrë i vërtetë shqiptar, të cilin kurrë nuk e kam dëgjuar të mburrej për këtë trimëri të pashoqe.
Pyetje: Ju jeni i vetmi bashkëkohës i mbetur gjallë nga “Vllaznia” e viteve 1945-1946. Cili ishte profili i portierit Dodë Tahiri sipas Zyhdi Barbullushit?
Përgjigje: Të përshkruash fizikun e tij nuk mund të gjesh fjalë apo epitet tjetër më të përpiktë, se fjalën vigan. Kur ai vendosej në mes të kuadratit, portën e bllokonte si lisi me rrema … Si portier flasin faktet për kohën që luajti në arenën e kampionatit shqiptar. Ai ishte emri i parë i Shqipërisë.
Doda ka lënë gjurmë të pashlyera edhe tek “Cetina”, “Buduçnosti” e “Hajduku”, madje dhe ka arrite të luajë edhe për ngjyrat e kombëtares malazeze. Nuk pati karrierë të gjatë sportive, pasi baticat dhe zbaticat e jetës nuk ia lejuan një gjë të tillë. Tahiri do kujtohet si kampion që pushtoi majat më të larta të sportit shqiptar dhe korri të gjitha trofetë më të rëndësishme të stinës së tij sportive.
Doda ka qënë edhe atlet i mirë, madje në hedhje gjyle pati zënë vendin e parë në rang kombëtar, ndërsa është shquar edhe si vrapues i mirë, më i shpejti futbollist i “Vllanisë” dhe i dyti në radhët e ekipit kombëtar, ku vetëm Skënder Begeja ia kalonte, pasi ky ka qënë atlet.
Dodë Tahiri mund të ishte bërë edhe një mundës i frikshëm, pasi kishte fuqi sa dy–tre burra të zakonshëm dhe askush nuk guxonte të matej me të. Pasionet i tij kanë qenë edhe bilardoja e në mënyrë të veçantë noti. Si portier është shquar në lojën në ajër dhe ka dalë kurdoherë fitimtar në duelet ajrore me kundërshtarët. Edhe sulmuesit më shtatlartë dhe me kërcyeshmëri më të lartë përpara Dodës dukeshin si ushtarët përpara portës.
Doda kishte krijuar mitin e portierit të pathyeshëm në Shqipëri, plot 900 minuta pa pësuar gol! Doda ka qenë edhe mjeshtër i gjuajtjes së penalltive, i saktë, shumë i qetë me një shut tmerrësisht të fuqishëm ketë e them me shumë përgjegjësi. Doda ka realizuar penallti edhe në ndeshje zyrtare por pleqëria bën punën e saj e nuk i kujtoi do se në çfarë ndeshjesh kanë.
Gjithsesi kujtesa nuk më ka tradhtuar fare kur kujtoj Kombëtaren pas stërvitjes Doda bombardonte në mënyrë shpartalluese me gjyle të rubullakëta shportën e Pozelit, dhe ndonëse italiani ishte portier shumë i mirë Dodës nuk i mbërthente as një top, kurse Pozelit, Tahiri i ka pritur shumë gjuajtje nga pika e bardhë.
Pyetje : A ju kujtohet si u thirr Doda në Kombëtare?
Përgjigje: Përpara Ballkaniadës së vitit 1946, Ljubica Broçiç, trajneri i mirënjohur jugosllav, mori detyrën e rendësishme të seleksionimit të ekipit tonë kombëtar, që u formua nga bashkimi harmonik i dy klubeve më të mira të vendit tonë “Vllaznia” dhe “Tirana”. Doda, duke qenë portier i skuadër kampione, kishte disa rekorde absolute për kohën 900 minuta pa pësuar gol në vitin 1945 dhe vetëm pesë gola të pësuar në dy kampionatet fituese 1945 e 1946.
Broçiç, Dodën e kishte njohur që kur ky kishte luajtur në Jugosllavi, prandaj i besoj vendin e portës në kombëtares. Duke qënë folës i mirë i sllavishtes, Doda shpesh herë ka bërë edhe punën e dragomanit (përkthyesit) në komunikimet që bënte Broçiç me lojtarët tonë gjatë seancave stërvitore.
Pyetje: A keni ndonjë kujtim të pathënë për Dodë Tahirin?
Përgjigje: Kam shumë kujtime, kemi luajtur kundër “Buduçnostit”, ish skuadrës së Dodës, të cilën në vitet e para pas çlirimit e kemi mundur katër herë, disa ndeshje me “Cetinën” në Shkodër, dy ndeshje me “Hajdukun” e famshëm në fitore 2:1 dhe një humbje 3:0, ku patëm marrë në ndihmë Qamil Telitin dhe Sllave Llambin.
Pyetje: Si qëndron historia e humbjes së hidhur me “Dinamon e Zagrebit”-“Vllaznia” 7:0?
Përgjigje: Mbas çlirimit, “Vllaznia” ka luajtur disa ndeshje me “Zagrebin”, por në këtë takim pësuam një disfatë të rendë. Ishin pothuaj të gjithë lojtarët e kombëtares që kishim marrë pjesë në Ballkaniadë. Pra shkuam në emër të “Vllaznisë”, si kampione e vitit 1946. Fillimisht kërkuam që ndeshja të shtyhej, pasi mbërritëm në Zagreb të shtunën në mengjes.
Rruga prej Nikshiqit deri në Sarajevë ishte jo vetëm e gjatë, por edhe malore ku autobusi ecte me shpejtësi diku deri mbi 10 km në orë. Ky udhëtim i gjatë qe një tundim rraskapitës për ne, por edhe koha shumë e ftohtë, terreni i ngrirë ishin të gjitha në dizfavorrin tonë. Kërkesa jonë për të shtyrë ndeshjën nuk u mor parasysh, pasi kishin nxjerrë lajmërimet, duke thënë se Shkodra kishte në përbërjen e saj pothuaj të gjithë lojtarët e Kombëtares që kishte fituar Ballkaniadën.
Luajtëm shumë keq, pasi nuk ishim mësuar në terrene të ngrira. Rexhep Spahiut, që në fillim ju ngri muskulatura dhe doli nga loja. Formacioni pati të meta pasi në vend të lojtarëve tonë. që nuk u morën, u futën lojtarë të Tiranës, të cilët nuk arritën të harmonizojnë veprimet si duhet.
Për mendimin tim u gabua që nuk kishim marrë me vete Muc Koxhën, Met Vasinë, Bahri Kavajën e ndonjë tjetër rezervë. Vërtetë u pësuan 7 gola, por sikur të mos kishte qënë Doda në portë do kishim pësuar akoma më shumë. Gjithsesi, Tahiri është ndier më keq se të gjithë ne të tjerët, pasi tifozët e njihnin dhe e çmonin si portier.
Pyetje: Gjatë rrugës në Podgoricë thuhet se ka pasur një incident mes Tahirit e Adem Smajlit. Si ndodhi ngjarja?
Përgjigje: Kur mbërritëm në Podgoricë, u mblodhën shumë njerëz tek makina jonë dhe njohën Dodën, që kishte luajtur në kohën e Zogut me “Podgoricën” dhe “Cetinën”. Dikush na tha se paskeni edhe Dodo Shekovin. Unë e pyeta Ademin, çka don me thanë “Shekovi”? Ademi mu përgjigj se ba me ditë çka don me thanë! … e duke qeshur ma tregoi.
Kur kaluam nga Podgorica në Danilograd për të shkuar në Nikshiq, prej nga do të niseshim me tren për në Zagreb, Doda thotë:
-“Kam ardhë me luajte me gjimnazin e “Cetinës” një herë në Dalilograd, ku ai kishte një shkollë bujqësore si ajo e Kavajës dhe na patën rrahë me shkopinj me gunga.
Shuaip Keri, (që kishte ardhë si lojtarë rezerve) ashtu si unë, nuk dinte se çfarë do të thoshte “Shekovi”, i thotë Dodës për t’u tallur: Bre Dodë, si të ka mbete llagapi Dodë Shekovi? (që në shqip do të thotë Dodë Qerosi). Doda desh ta rrihte Shuaipin, por u mjaftua duke thëne: Jemi në Jugosllavi se ta kisha tregu mirë qefin. Kur mori vesh se këtë sekret ia kishte thanë edhe Ademi, iu sul edhe Adem Smajlit, por ky i tha:- Jo more Dodë, nuk e kam thanë vetë.-Meqë Doda e donte shumë Ademin ia ktheu: S’kam çka me të ba ty more Adem!?
Pyetje: Mbani mend ndonjë episod tjetër?
Përgjigje: Kur po ktheheshim nga Zagrebi për në Splid, shkuam në një restorant, Broziviçi, kapiteni i “Hajdukut” filloi të flasë me Loro Boriçin, madje duke e ngacmuar për çështje femrash, ndërkohë çohet edhe Doda të flasë me të.
Ademi që kishte një humor të hollë i thotë Dodës;- Shaji more vendit se ti, megjithëse hëngre 7 gola në Zagreb, e dëftove vetin se pret edhe ndonjë top jashtë portës.Doda, iu përgjigj flakë për flakë akoma ma me humor, Ademit:-Kuku për mue, ma mirë të kisha ardhë vetëm se me çiftat e tu, e me na turpnue, pasi qe besa e burrave nuk ka lujtë Zagrebi (“Dinamo”) me “Vllazninë”, por vetëm me Dodën.Pas kësaj ndeshje Doda me t’u kthyer në Shkodër është larguar nga Shqipëria.
Pyetje: Pas ballkaniadës pati ndonjë grumbullim tjetër të kombëtares para se të vinin disfatat e njëpasnjëshme të vitit 1947, qe nga vendi i parë u rrokullisëm në të fundit?
Përgjigje: Mbas fitores së Ballkaniadës, u grumbullua serish ekipi kombëtar në Tiranë, mua më thirrën në Kombëtare me Dodë Tahirin, Bimo Fakjën, Loro Boroçin, Bahri Kavajën dhe Muhamet Dibrën. Midis tyre unë qeshë më i riu, sapo kisha mbushur 20 vjeç.
Na caktuan në fillim në hotel “Park” dhe na caktuan të hanim në një restorant mbrapa Bashkisë. Ndonëse nuk kisha shkollë dhe futbolli nuk ishte profesion me gjetën një punë në Bashkinë e Tiranës ( me një plak ruaja pasuritë e regjencës së ish kriminelëve të luftës). Për vendosjën tonë në punë interesohej direkt K. Q. i Rinisë dhe Ramiz Alia, pasi ai e kishte në patronazh ekipin kombëtarë të futbollit.
Pyetje: Po me shokët tuaj ç’u bë?
Përgjigje: Dy shokët e mi të ngushtë, Bimo Fakja e Dodë Tahiri në Tiranë mbetën pa punë. Bimon deshën ta sistemonin në punë roje në ministri, si portier. Po kur ia propozuan këtë vend ai u qe përgjigj: -“Unë luaj alfë dhe portier luan Doda” e ashtu i nervozuar Bimoja pat marrë valixhen e desh të kthehej në Shkodër.
Megjithatë, me ndërhyrjën e shokëve, ndryshoi mendje të mos e merrte atë veprim pasi një gjë e tillë mund të kishte pasoja. Dodës i kishin premtuar se do ta vishnin ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai në ndryshim nga shumica e brezit tonë kishte arsimin e mesëm të përfunduar në Podgoricë.
Gjithsesi, të vetmit sportist të kombëtares, që mbetën pa punë, qenë Doda e Bimo Fakja. Me sa di unë, Dodës iu vu një kusht, që të mobilizohej kapter duhej të luante për “Partizanin”, që sapo ishte krijuar, por Dodës nuk i ka pëlqyer të linte Shkodrën për “Partizanin” dhe kështu mbeti pa punë. Doda ishte tip qefli, shëtitës dhe nuk i përshtatej dot disiplinës ushtarake dhe të jetonte në kazermë. Ai e donte shumë “Vllazninë” dhe synonte kampionatin e tretë radhazi.
Përforcimi i “Partizanit” me lojtarë shkodranë dhe nga rrethet e tjera, nuk i pëlqej Tahirit, prandaj kur e kuptoi se “Vllazninë”, Federata me duart e saj po e çarmatoste për hatër të “Partizanit’’, Doda iku në Podgoricë tek “Buduçnosti” i tij, duke e lënë skuadrën e zemrës në maje të futbollit, por që do të rrezohej që atë vit për të mos u ringritur më për 26 vjet, deri në vitin 1972, kur portën do ta mbronte pasardhësi i tij i shquar Paulin Ndoja dhe në skenë do rilindte garda e re e viteve gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë
Pyetje: Si stërviteshit atëhere në Kombëtare?
Përgjigje: Para se të fillonte Kampionati Ballkanik i vitit 1947, na liruan një muaj nga puna dhe filluam stërvitjën me një trajner tjetër të quajtur Jeftiç, i cili kishte luajtur në Spanjë. Për të njohur nga afër gjendjën e lojës e taktikën e ekipeve kundërshtare na çonte me pa “Partizanin” e Jugosllavisë në Titograd dhe Shkup.
Ky trajner kishte sistemin e vjetër akademik, me spostime të gjata, gjë që nuk e kisha luajtur asnjëherë. Prandaj, për këtë arsye, nuk kam qënë i mirë në përdorimin e topit me kokë, por kam qënë përfekt me të dy kembët, si alo i majtë dhe alo i djathtë. Ndërkohë që Skënder Begeja, nga që nuk pati sukses në atletikë, tani pas largimit të Broçiçit, donte të vinte përsëri në Kombëtare në pozicionin alo i majtë, ku më përpara kishte qënë Pal Mirashi.
Një ditë, Skënder Begeja më tha: Nuk do të isha më në Kombëtare. Ishte e qartë se ai donte të vinte vetë në formacion, mëqe ishte përgjegjës i kombëtares. Mua, pas Ballkaniadës më kishin thirrur për të zëvendësuar Pal Mirashin si alo i majtë, i cili kishte rënë në burg politikisht, me akuza të pabëra pasi ai në të vërtetë qe dënuar pasi i kishte dhënë një sahat të kushtueshëm Skënder Jarecit.
Më kujtohet se kombëtarja jonë me trajner Jeftiç bëri një ndeshje miqësore me “Vllazninë”. Unë nuk bëja pjesë në formacionin e Jeftiçit. Më kujtohet se në këtë takim Lutfi Laçja luajti shumë mirë, pasi kishte ardhur i përgatitur nga skuadra e “Partizanit”.
Pyetje: Si është e vërteta e një zënke të Dodës me Skënder Begenë që përflitet që u bë shkas që Doda të braktiste Kombëtaren?
Përgjigje: Siç e theksova më përpara, Skënder Begeja ka qënë përgjegjës i ekipit kombëtar të futbollit, njeri që kishte miqësi dhe komunikim të drejtpërdrejtë me Ramiz Alinë, ndonëse një vëlla e kishte pasur me qëndrim jo të mirë politik. Skënderi, ishte njeriu i partisë në Kombëtare.
Nuk pati luajtur asnjë ndeshje në vitin 1946 me Broçiç, kthehet me Jeftiç dhe bëhet i pazëvendësueshëm në vitin 1947, vit në të cilin Shqipëria të katër takimet e luajtura i humbi duke marrë 13 gola kundrejt 2-ve të shënuar. Nuk jam në gjendje të them si ka filluar konflikti Begeja–Tahiri, por u interpretua se, u zunë për punë ushqimit apo dietash.
Doda u ankua hapur se ushqimi ishte i dobët dhe i pamjaftueshëm për një sportist të Kombëtares dhe i kërkoi llogari se pse nuk i kishte shënuar lekët e dietave. Skënderi, që kishte plotësuar formularët e dietave, Dodën e kishte lënë pa gjë fare. Unë nuk kam qënë prezent, por u fol mes nesh se Skënderi replikoi ironikisht duke i thënë se dietat t’i konvertojmë në makarona, ndërsa Doda iu përgjigj me një shputë të fortë dhe për këtë hëngri një vërejtje të rendë paralajmëruese.
E di dhe jam dëshmitar okular se Doda jo vetëm tek “Vllaznia”, por edhe në Kombëtare ka qënë nga lojtarët më popullor, i drejte dhe korrekt që nuk i kapërdinte padrejtësitë. E di shumë mirë se nuk ka pranuar të bëhet pjesë e “Partizanit” kur u formua ky ekip. Unë nuk besoj se Doda u largua nga Kombëtarja thjeshte për një konflikt që pati me Skënder Begenë, ndonëse u diskutua deri lart, madje duhet theksuar se Skënderi reagoi në menyrë të kulturuar duke thënë: Unë isha fajtor, ndonëse Doda e teproi ndaj meje.
Doda është zhgënjyer nga trajtimi i dobët që i është bërë (pa punë, me ushqim të dobët edhe buka me racion 300-400 gr).Ai vinte shpesh tek unë në furrë, por edhe me shokë të tjerë të cilët, me sa mundja i ndihmoja. Shkaku kryesorë i largimit, me sa di unë, ka qënë mërzia që e kapte për Podgoricën, mbasi ai atje kishte familjen, mbasi atje pati kushte shumë më komode se në Shqipëri. Të mos harrojmë se Doda ka qënë nënshtetas malazez. Këtu në Shqipëri flitej se kishte edhe një hasmëri të vjetër. Gjithsesi, Broçiç kur u rikthye të merret serish drejtimin e Kombëtarë sonë, ka pyetur i habitur:- Ku është Dodë Tahiri? Apo ua mori Mali i Zi!
Pyetje: Mos vallë ka pas edhe ndonjë histori dashurie që ka ndikuar për këtë vendim të Tahirit?
Përgjigje: Doda është martuar pas largimit nga Shkodra me një serbe, Natashka Tahiri. Me këtë vajzë është njohur kur ajo vazhdonte studimet në gjimnazin e Podgoricës. Doda kishte lidhje dhe afeksione të fuqishme me vendin fqinj ku ishte rritur. Ai nuk na ka rrëfyer për ndonjë histori dashurie, ndonëse ishte në qendër të vemendjës së shkinave, për të cilat nuk e fshehte dot simpatinë që kishte për to.
Pyetje: Cilët kanë qenë miqtë më të ngushtë të Tahirit?
Përgjigje: Ernest Helepjani, Adem Smajli, Muhamet Dibra, Prekë Gjeloshi, Loro Boriçi, Bimo Fakja, Beqir Osmani, Bahri Kavaja. Me mua dhe Pal Mirashin që ishim më të rinj ka qënë shumë korrekt, asnjëherë nuk i ka përbuzur të rinjtë. Në gjysmën tjetër të Kombëtares kishte miqësi sportive me Qamil Telitin, të cilit i kishte zmbrapsur shumë predha idhnake, Rexhep Spahiun, Aristill Parapanin, sidomos me Xhavit Demnerin e Tiranës, kishte marrëdhënie shumë të mira. Dodës i pëlqenin njerëzit me karakter burrëror si Sllave Llambi, Aristill Parapani e të tjerë. Di shumë mirë se Doda simpatizonte futbollin Gjerman dhe Hungarinë e atyre viteve.
Prelë MILANI