Lajmi i para pak ditëve që fliste për një emërim të mundshëm të Elvin Beqirit në postin e zëvendëstrajnerit të Kombëtares U-17, tashmë është zyrtar. Ish- mbrojtësi i njohur i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare prej dy ditësh ka nisur punën me këtë ekip bashkë me trajnerin Xhemal Mustedanagiç.

Kombëtarja e kësaj moshe prej dy ditësh ka nisur grumbullimin në Durrës për ndeshjet zyrtare që do të zhvillojë gjatë këtij muaji. Në këtë mënyrë, për Beqirin tashmë ka nisur një rrugëtim i ri dhe padyshim që shpresojmë të jetë po aq i suksesshëm sa ç’ka qenë edhe si futbollist. Në fakt, pas lënies së sportit prej tij, ai nisi menjëherë detyrën e trajnerit dhe menjëherë arriti të shpallte Vllazninë U-19 kampione të vendit që në sezonin e parë që e drejtoi atë. Tashmë puna e tij e re me kombëtaren U-17 pritet të jetë sërish rezultative. Sakaq, kujtojmë se me këtë ekip aktualisht janë të grumbulluar edhe tre futbollistë shkodranë, Egzon Shimaj, Samuel Asllani dhe Kevin Haveri.

© shkodrasport.com