Pas Gilman Likës, “Basania FC” afron një tjetër emër të njohur si trajner pranë Akademisë së saj. “Shkodra Sport” meson se këtë herë është Ersi Çaku që është bërë pjesë e saj dhe ka nisur punën në krye të ekipit U19.
Çaku deri para pak ditësh ka qenë pjesë e Akademisë “Djelmnia shkodrane” teksa ka drejtuar ekipin U15 të saj, teksa nuk kanë munguar edhe rezultatet pozitive.
Megjithatë vetë ai duket se ka dashur të nisë nje eksperiencë të re dhe i është bashkuar projektit të “Basania FC”. Bisedimet me presidentin Ermir Shimaj janë mbyllur shpejt dhe Çaku ka rënë dakord për t’u bërë pjesë e kësaj Akademie.
Ekipi U19 i Basanias krijohet për herë të parë këtë sezon dhe pjesë e tij do të jenë një pjesë e mirë e futbollistëve që kanë qenë pjesë e ekipit U17 sezonin e kaluar, por edhe elementë të tjerë që kanë shprehur dëshirën të bashkohen me këtë klub të krijuar një sezon më parë.
Trajneri Çaku me eksperiencën e tij padyshim që do të bëjë më të mirën në krye të këtij ekipi, për të arritur rezultatet e duhura dhe për t’i bërë ato futbollistë të vlefshëm për të ardhmen e tyre në këtë sport./SHKODRA-SPORT.COM/