Pas një periudhe të shkurtër të përkohshme, David Hubert u emërua zyrtarisht trajner kryesor i Anderlecht (RSCA), tetorin e kaluar. Ai e drejtoi ekipin gjigant belg për 38 ndeshje. Tani, në prag të fazës së “play off”-it dhe finales së kupës, bashkëpunimit i ka ardhur fundi. RSCA e falënderon sinqerisht David për përkushtimin e tij.
Besnik Hasi (53 vjeç) e merr drejtimin si kryetrajner i RSCA. Ish-mbrojtësi i kombëtares sonë kuqezi ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit, me mundësinë e zgjatjes së pacaktuar. Hasi nuk është i panjohur për Anderlecht.
Pas një karriere të suksesshme si futbollist në këtë klub, ai shërbeu si ndihmës trajner për 4 sezone, më pas për 3 sezone si trajner kryesor. Gjatë asaj kohe, shqiptari fitoi titullin e kampionit në vitin 2014 dhe ngriti Superkupën Belge.
Drejtori Sportiv, Olivier Renard, tha: “Jemi mirënjohës ndaj David për punën e tij gjatë muajve të fundit. Tani kemi zgjedhur të hyjmë në fazën vendimtare të sezonit me një trajner të ri dhe energji të reja. Besnik Hasi e njeh mirë futbollin belg dhe ka përvojë me mjedisin kërkues të RSCA. Jemi të kënaqur që ai është i gatshëm ta sjellë sërish këtë përvojë në klubin tonë”.
Vetë Besnik Hasi shtoi: “E njoh këtë klub dhe pritshmëritë që vijnë me të. Është kënaqësi ta drejtoj sërish ekipin e parë të Anderlecht”.