Që prej ditës së sotme, atletika e Vllaznisë edhe zyrtarisht ka një trajner më shumë në organikën e saj. Largimi para disa muajsh i Fatjon Serhatit, kishte bërë që vendi i tij të mbetej bosh, por tashmë kjo gjë ka marrë zgjidhje.
“SHKODRA SPORT” mëson se Jetmir Jahaj është emri më i ri që i shtohet listës së trajnerëve të atletikës së Vllaznisë. Propozimi i kryetrajnerit Albert Marashi është aprovuar edhe nga drejtuesit e SK Vllaznia dhe më pas ka ardhur edhe firma e tij në kontratë.
Jahaj në fakt nuk është një emër i panjohur. Në rininë e tij ka qenë atlet i kërcimeve dhe është stërvitur nën drejtimin e të mirënjohurit Tufi. Më pas, ka ndjekur studimet dhe e ka lënë sportin herët, por ka punuar për disa vite si zëvendëstrajner, duke qenë ndihmës i trajnerit të tij, periudhë që i ka shërbyer për të marrë edhe eksperiencën e duhur.
Nga ana tjetër disa vitesh ndërkohë kryen detyrën e mësuesit të edukimit fizik në një nga shkollat 9 vjeçare të qytetit të Shkodrës, por pasioni i tij për atletikën mbetet i madh dhe për rrjedhojë kërkesën e drejtuesve të klubit për t’u angazhuar pranë këtij ekipi, e ka mirëpritur.
Jahaj kësisoj do të nisë menjëherë punën bashkë me trajnerët e tjerë Vildan Tufin, Albert Marashin, Bruno Rrotanin dhe Dorian Tafën, për të çuar edhe më tej sukseset e Vllaznisë në atletikë e cila është e padiskutueshme në këtë sport duke dhuruar suksese të njëpasnjëshme./SHKODRA-SPORT.COM/