Ajdi Dajko nuk është më një futbollist i Laçit. Lajmin e jep vetë klubi kurbinas që njofton në faqen zyrtare se ka arritur marrëveshjen me klubin ukrainas, LNZ Cherkasy për transferimin e mbrojtësit.

“KF Laçi bën me dije se ka arritur marrëveshjen për transferimin e mbrojtësit Ajdi Dajko në Ukrainë te LNZ Cherkasy FC. Duam t’i urojmë suksese në karrierë kapitenit të skuadrës tonë dhe e falënderojmë për kontributin e dhënë për fanellën bardhezi sezonin e shkuar. Suksese Ajdi! Para Laçi!”- njofton klubi.

Dajko u afrua këtë sezon te bardhezinjtë dhe shkëlqeu menjëherë duke fituar vendin e titullarit edhe pse në moshë të re. Me kalimin e muajve, ai fitoi edhe shiritin e kapitenit duke u kthyer në lider absolut në qendrën e mbrojtjes.

Tani, futbollisti i Kombëtares U21, do të provojë një avneturë jashtë vendit ku do të tregojë vlerat e tij për të ngjitur akoma më shumë shkallët e karrierës.