Julian Ahmataj është trajneri i ri i Luftëtarit. Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, pas u refuzua nga serbi Mlladen Milinkoviç, klubi gjirokastrit ka qenë i detyruar për të gjetur një zgjidhje “low-cost”, duke i dhënë shansin elbasanasit për të drejtuar skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.

Ahmataj ka qenë në kampionatin e kaluar në krye të Kamzës, duke mbyllur sezonin me shpëtimin e kësaj skuadre dhe më pas me një shkarkim “spektakolar” nga Qarri. Pak minuta më parë ai është prezantuar para skuadrës nga presidenti Grigor Tavo dhe drejtori sportiv, Gentian Nora.

Çuditërisht klubi gjirokastrit ka evituar një konferencë për shtyp për të prezantuar trajnerin e ri, pasi në këtë moment është mes një mijë e një halleve.

I zhytur në borxhe, me lojtarë që vazhdojnë ta refuzojnë afrimin prek besimit të paktë që kanë dhe probleme të tjera. Luftëtari ka humbur më shumë se kurrë edhe besimin tek tifozët gjirokastritë, të cilët duke parë zgjedhjet e klubit në këtë periudhë, e shohin si një mrekulli mbijetesën në elitë.