Pas 20 vjeçarit Elmir Lekaj që tashmë ka firmosur me ekipin kosovar Arbëria dhe do t’i bashkohet atij në stërvitje në ditët e para të janarit, një tjetër futbollisti mund të quhet zyrtarisht i larguar nga ekipi shkodran.
Këtë herë bëhet fjalë për një futbollist të huaj, pikërisht sulmuesin moldav Eugeniu Sidorenco. Brenda dy ditëve të ardhshme ai do të lërë Shkodrën dhe Shqipërinë dhe me siguri që nuk do të kthehet më, të paktën te Vllaznia.
Që prej ardhjes së stafit aktual në krye të ekipit, duhet thënë se raportet e këtij lojtari me pjestarët e tij nuk kanë qenë asnjëherë ato të duhurat, për këtë arsye edhe ai është aktivizuar shumë pak ose thuajse aspak.
Kjo ka bërë që Sidorenco thjesht të presë datën e përfundimit të kontratës (31 dhjetor) dhe t’i japë fund aventurës së tij njëvjeçare me Vllazninë e cila vetëm në pjesën e parë të saj ishte ashtu si duhet sepse në të dytën ka patur pak për të thënë.
Si rrjedhojë bëhet e ditur se drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë ndër mend t’i ofrojnë rinovim kontrate sepse nuk është në planet e stafit teknik. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për “Shkodra Sport” sponsori Alban Xhaferi i cili është shprehur:
“Futbollisti Sidorenco do të largohet nga Vllaznia sepse i përfundon kontrata dhe Vllaznia nuk do t’i ofrojë rinovim”. Për këtë arsye, dy-tre ditët e ardhshme janë të fundit të futbollistit Eugeniu Sidorenco në Shkodër dhe Shqipëri.
Ne fakt shume prej tifozeve kane menduar se ai eshte larguar prej kohesh ngaqe ai nuk shihet ne ndeshjet e Vllaznise, por gjithsesi ai ka respektuar kontraten dhe ka qene i pranishem ne te gjithe procesin stervitor te kuqebluve./SHKODRA-SPORT.COM/