Ashtu siç ishte përfolur përgjatë gjithë këtyre ditëvë, më në fund është bërë zyrtare kalimi i Eduart Rrocës dhe Vasil Shkurtajt te Kukësi. Mesfushori dhe sulmuesi i Luftëtarit kanë arritur marrëveshjen me klubin verilindor dhe ditën e sotme janë prezantuar në ambientet e klubit.

Detaje të kontratave përkatëse s’bëhen ende të ditura, ndërsa të dy lojtarët tashmë janë të gatshëm për t’iu bashkuar skuadrës kuksiane nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu.

Kujtojmë që Rroca dhe Shkurtaj ishin pjesë e Luftëtarit në këtë pjesë të parë të sezonit futbollistik. Performanca pozitive me gjirokastritët bëri që të dy lojtarët të nxisnin interesin e kuksianëve për t’i pasur në gjirin e tyre. Falë ndërmjetësimit edhe të menaxherit Elton Marini, sot të dy futbollistët janë veshur me fanelën “blu”.

Vasil Shkurtaj ka arritur të shënojë plot 7 gola në këtë edicion dhe me verilindorët pritet të shpërthejë për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave, sigurisht me “regjinë” e Eduart Rrocës në mesin e fushës./newsport/