Vendi i mbetur bosh në pankinën e ekipit të femrave të Murlanit, që tashmë do të përfaqësojë Kukësin për shkak të një riorganizimi të ri nga FSHF, është plotësuar zyrtarisht. Përpos lojtareve që do të jenë të gjitha nga Shkodra, edhe trajnerja e re e ekipit të Kukësit do të jetë po nga Shkodra.

Bëhet fjalër për Paula Jakun, futbollisten e njohur të Juban Danjës, por edhe me Murlanit. Tek ky i fundit, pat mbajtur edhe detyrën e zëvendëstrajneres përkrah Arben Parmezës sezonin e kaluar.

Por tek ekipi i ri, Paula Jaku do të marrë detyrën e trajneres së parë, ashtu siç do të vazhdojë të jetë e federuar edhe si lojtare dhe mund të japë edhe kontributin e saj në fushën e lojës.

Një gjë e tillë është bërë me dije nga ana e vetë Jakut në emisionin “Star Sport” në Star Plus. Trajnerja Paula Jaku ka shprehur kënaqësinë e marrjes së kësaj detyre, teksa tha se do të punojë me përkushtim me vajzat shkodrane të Kukësit.

Kështu, pozicioni i trajnerit tek ekipi i Kukësit plotësohet sërish dhe natyrisht që të gjithë shpresojnë që sezoni i ardhshëm të jetë i suksesshëm.
Maringlen ZHIVANI