Video Assistant Referee (VAR) do të përdoret në Premier League duke filluar nga sezoni i ardhshëm dhe tashmë edhe në Angli janë bindur se e ardhmja është e lidhur ngushtë me teknologjinë, që nuk do të thotë se faktori njerëzor nuk do të ketë më vlerë.
Konfirmimi zyrtar erdhi pasi klubet kanë rënë dakord në princip për këtë hap të rëndësishëm, që do të lehtësojë jo pak punën e arbitrave dhe do të kufizojë gabime që mund të vendosin fatet e një sfide.
Në takimin e pjesëtarëve të Premier League, klubet kanë marrë një përditësim të provave të VAR që janë zhvilluar gjatë muajve të fundit.
Tani Premier League do t’i bëjë një kërkesë formale Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit dhe FIFA-s për përdorimin e VAR sezonin e ardhshëm.
VAR ka kohë që përflitet në kampionatin anglez dhe thuajse të gjithë analistët apo trajnerët janë dakord se loja do të përmirësohej./telesport/