Juventusi ka marrë sot mbrapsht pikët që i kishte hequr Federata Italiane e Futbollit dhe teksa pret rigjykimin e çështjes, mund të shohë më e qetë renditjen e kampionatin italian. Bardhezinjtë kthehen përsëri në një nga forcat kryesore të kampionatit dhe në një pozicion mjaft të mirë për të siguruar praninë në Ligën e Kampioneve kur mbeten edhe 8 javë për t’u luajtur.

Një vendim që trondit renditjen e Serisë A sa i përket luftës për Ligën e Kampioneve, pasi nxjerr jashtë katërshes së parë si Milanin, ashtu edhe Interin, duke i rrezikuar seriozisht. Juventusi ngjitet menjëherë në vendin e tretë në renditje, me 59 pikë, vetëm 2 më pak se Lacio e vendit të dytë dhe 3 më shumë se Roma e vendit të katërt.

Milani zbret në vendin e pestë me 53 pikë, i ndjekur nga Interi me 51 pikë e më pas nga Atalanta me 49. Një situatë që u jep frymëmarrje bardhezinjve por “nxin” javët e mbetura për dy ekipet milanezët.

Kuqezinjtë e Piolit luajnë kundër Romës dhe Juventusit në transfertë në këto javë ndërsa presin edhe Lacion në fushën e tyre. Nga ana tjetër, Interi në këto javë pret Lacion dhe Atalantën, ndërsa luan në transfertë ndaj Romës e Napolit.

RENDITJA E SKUADRAVE TË KREUT

Napoli 75 pikë

Lacio 61

Juventus 59

Roma 56

Milan 53

Inter 51

Atalanta 49