Sulmuesi kryeqytetas është blerja e tetë e Vllaznisë. Ndoshta edhe e fundit e kësaj skuadre në këtë merkato të nxehtë vere. Akordi mes drejtuesve të klubit dhe lojtari është arritur pikërisht në këto momente. Krerët kuqeblu i kanë bërë ofertën e fundit ish-lojtarit të Laçit në sezonin e kaluar dhe ai pasi është menduar për pak minuta, ka kthyer përgjigje pozitive. Çka do të thotë se ai që nga ky moment është futbollist i Vllaznisë. Megjithatë prezantimi i tij zyrtar do të bëhet ditën e nesërme. Me marrjen e Hysës kompletohet edhe reparti i sulmit dhe në këtë mënyrë skuadra shkodrane është e kompletuar në të gjitha repartet duke krijuar kësisoj profilin e një skuadre pretendente. Kjo skuadër në fakt ka patur në mendje edhe marrjen e kroatit Pero Pejiç megjithatë me të nuk është arritur akordi financiar.
Kërkesa e futbollistit ka qenë e papërballueshme për arkën e Vllaznisë e cila mësohet t’i ketë ofruar një shumë prej 55 mijë eurosh dhe asnjë cent më shumë, ndryshe nga sa mund të jetë shkruar në media. Me Pejiç thuhet të ketë patur kontaktet e fundit ditën e sotme teksa përfundimisht është marrë përgjigja negative e tij për ofertën shkodrane. Në një kontekst të tillë, kanë avancuar bisedimet me Hysën me të cilin në fakt ishte lënë një bisedë e fundit sot. Biseda ka shkuar në mënyrën e duhur dhe drejtori sportiv Armir Grima sonte ka dhënë lajmin e mirë se marrëveshja edhe me të është arritur dhe Hysa është lojtari më i ri i Vllaznisë.
www.shkodrasport.com