Takimi Vllaznia-Partizani nuk do të luhet të hënën sikurse u kërkua por të dielën në orën 16.00 në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Ky është vendimi zyrtar që ka marrë pasditen e sotme Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë mënyrë është zgjidhur edhe kjo dilemë e cila priste një përgjigje përfundimtare. Fillimisht ndeshja është kërkuar të luhet në Lezhë, por drejtuesit e Besëlidhjes nuk e pranuan të vënë në dispozicion stadiumin e tyre. Të detyruar nga ky fakt, drejtuesit shkodranë iu rikthyen sërish pistës së Pukës, aty ku luajtën edhe dy ditë më parë ndaj Skënderbeut.

Të dorëzuar për faktin se ndeshja do të luhet në Pukë, krerët e ekipit të Vllaznisë paraqitën kërkesën e tyre për ta zhvilluar të hënën ndeshjen ndaj Partizanit, por kjo ditë korenspondonte me një tjetër aktivitet, kësaj here në fushën e motoçiklizmit, të planifikuar ditë më parë të zhvillohej po në qytetin e Pukës. Më shumë se problemi i dy aktiviteteve në të njëjtën ditë, u shfaq pengesa e akomodimit, teksa dihet që qyteti i Pukës ka vetëm një hotel të kapaciteteve të mjaftueshme për të akomoduar dy skuadra futbolli njëherësh, hotel ky i prenotuar që më parë nga motoçiklistët.Në këto kushte, vendimi përfundimtar që ka marrë tashmë trajtë zyrtare ka përcaktuar zhvillimin e takimit Vllaznia-Partizani, ditën e dielë në orën 16.00, në stadiumin “Ismail Xhemali” të qytetit të Pukës. Një problematikë kjo që sipas të gjitha gjasave do të ndjekë për një kohë të gjatë ekipin e Vllaznisë, i cili mbetet peng i punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.

www.shkodrasport.com