Lajmi i publikuar dje në media në lidhje me largimin e Ze Marias, është zyrtarizuar sot nga klubi bardheblu. Presidenti Refik Halili dhe trajneri Ze Maria kanë dalë në konferencë për shtyp para mediave, për të zyrtarizuar largimin e brazilianit.
Si fillim, ka qenë vetë presidenti Halili ai i cili ka treguar edhe arsyen e konferencës, duke njoftuar se marrëveshja me Ze Marian është mbyllur, ndërkohë që më pas i ka lënë fjalën trajnerit Ze Maria.
“Zyrtarisht u japim fund marrëveshjes që kemi bërë në fillim, në po këtë vend me Ze Marian”, u shpreh Halili.
Më pas, vijon fjalimi i Ze Marias. “E mbyllim sikurse e nisëm. Një vit e 6 muaj më parë, u gjendëm në të njëjtin vend. Është e drejtë që të largohem duke folur për të gjithë gazetarët. Dua t’i falënderoj të gjithë, klubin dhe gazetarët për gjithçka kemi kaluar. Ka qenë një periudhë rritjeje për mua, si profesionalisht dhe në aspektin personal.
Kam takuar njerëz që e duan këtë klub dhe unë jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij klubi. Kur martesat nuk shkojnë mirë, divorci është i pashmangshëm, për arsye të rezultateve negative. Është e drejtë që trajneri të shkarkohet dhe kur arrihet marrëveshja mes palëve kjo është më mirë për të gjithë.
Një falënderim të veçantë e kam për tifozët, për faktin se pata kohën për t’i gëzuar. Sezonin e kaluar ishin shumë të mërzitur me skuadrën. Kam parë që kanë pasion për këtë skuadër. Shpresoj të shihemi në të ardhmen, nuk e di ku. Shpresoj të kem lënë shenjë të mirë këtu në Shqipëri.”/vipsport/