Bashkia Shkodër dhe biznesmeni Alban Xhaferi arritën sot marrëveshjen me anë të së cilës synohet ringritja e Vllaznisë. Tratativat kishin kohë që zhvilloheshin, me klubin që po haste mjaft vështirësi.
Problemet e shumta, mungesa e fondeve, pagat e futbollistëve e shumë e shumë çështje të tjera e kanë shoqëruar Vllazninë gjatë gjithë kësaj kohe. Xhaferi do jetë sponsori i ri, me shpresën se gjërat do kthehen në vijë. Ai dha një intervistë për RTSH SPORT, ku zbuloi disa detaje nga pakti.
Duket se edhe Xhaferi po e pret vetë me padurim të fillojë punën konkrete për të kthyer sa më shpejt Vllazninë në “normalitet”. Marrëeveshja pesëvjeçare do t’i japë mundësinë të ndërtojë një projekt të ri të qëndrueshëm për kuqeblutë e futbollit.
“Kemi rënë dakord dhe është një marrveshje partneriteti. Marrëveshja është bërë e mirë, po e quaj kështu se aty do të hedhim fonde shtesë për lojtarët e stafin, normalisht do të kemi akses për të vendosur. Kjo është një marrëveshje pesëvjeçare”, shpjegoi shkurtimisht për RTSH Xhaferi akordin që ka arritur me Bashkinë e qytetit dhe që u zyrtarizua sot nga palët.