Tërbuni i Pukës arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e sotme. Ku pukjanët arritën të përmbysnin shifrat nga 2-0 në 2-3 kundër Besëlidhjes. Një 3 pikësh me vlera që i mban pukajnët në zonat e larta të renditjes. Por sot, siç mëson “Shkodra Sport” është zyrtarizuar edhe një marrëveshje bashkëpunimi e Tërbunit me një akademi shkodrane.
Bëhet fjalë për akademinë “Shpresa” që ka disa vite që vepron në qytetin tonë. Por tashmë duket se elementët më të mirë të akademisë shkodrane do kalojnë tek ekipi i parë i veriorëve. Akademia “Shpresa” ka si drejtues kryesor, Ardit Manin. Trajnerin e mirënjohur të moshave të futbollit në Shkodër.
Po ashtu Mani, ka edhe rolin e video-analistit tek Tërbuni. Edhe këtu tashmë ka një marrëveshje të re, pasi Mani ka rinovuar marrëveshjen me pukajnët. Ai do jetë pjesë e Tërbunit edhe për 2 sezone të tjera, duke vijuar kështu projektin e skuadrës.
Tërbuni në këtë fillim kampionati në Kategorinë e Parë e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer. Ku pas 4 javësh ndodhet në vendin e dytë të renditjes me 8 pikë. Duke pasur kështu ambicie shumë të mëdha për këtë edicion.
Endri ÇINARI